back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaZgjatja e mandateve/ Xhafaj: SPAK e humbi shansin

Zgjatja e mandateve/ Xhafaj: SPAK e humbi shansin

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka zhvilluar sot një konferencë për mediat, në përmbyllje të mandatit 14-mujor të këtij komisioni. Gjatë fjalës së tij, Xhafaj prezantoi arritjet kryesore të punës së komisionit dhe dy dokumentet themelore të dorëzuara Kuvendit. Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit, që adresojnë sfidat e qeverisjes, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit të së drejtës në funksion të integrimit në BE.

Por, vëmendje të veçantë mori edhe qëndrimi i tij lidhur me debatin publik mbi zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, një çështje e cila ka ndezur diskutime në sistemin e drejtësisë dhe në opinionin publik.

Xhafaj: SPAK nuk shfrytëzoi mundësinë për debat institucional
I pyetur nga gazetarët për këtë temë, Fatmir Xhafaj u shpreh se çështja e zgjatjes së mandatit nuk është trajtuar si duhet nga vetë struktura e posaçme.

“Se çfarë mendoj unë për këtë gjë është pak a shumë e njohur. Kjo çështje do të duhet të ishte bërë ajo që thashë unë. Që ata të uleshin në tavolinë dhe të sillnin argumentet pro dhe kundër. Deri sot kam parë një kërkesë, por jo argumente. Duhet të kishte një diskutim”, deklaroi Xhafaj.

Sipas tij, prokurorët e SPAK kanë humbur një mundësi për të institucionalizuar debatin, duke mos ngritur vetë një grup pune ose platformë të qartë për shqyrtimin e kësaj kërkese.

“Ata e humbën këtë shans. Nuk e ngritën ata vetë këtë grup pune. Por kur të vijë çështja që të bëhet komponenti i konsolidimit të reformës në drejtësi, jam i bindur që do të jetë një nga çështjet që do të trajtohen dhe do të ketë një vendim. Por nuk është ky problemi kryesor që ka sot sistemi i drejtësisë”, shtoi ai.

Në vijim të konferencës, Xhafaj përmendi se puna e Komisionit të Posaçëm është mbështetur nga 119 ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, dhe se për herë të parë Kuvendi ka në dorë një Dokument Analitik 709-faqesh dhe një Plan Kombëtar Veprimi me 238 masa konkrete, ndër to 78 iniciativa ligjore dhe 160 masa institucionale.

Ai theksoi se kjo përvojë është një model që mund të shërbejë për të gjitha proceset reformuese në të ardhmen dhe për të forcuar rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me BE.

Në përmbyllje, Xhafaj u shpreh se është e nevojshme që kjo punë të vazhdojë përmes një komisioni të përhershëm parlamentar ose një strukture institucionale të dedikuar, që do ndjekë zbatimin e planit dhe vijimin e reformës në drejtësi, përfshirë dhe çështjen e mandatit të magjistratëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat