Ditën e sotme është prezantuar për konsultim publik drafti i ri i Kodit Penal, një dokument që sjell një sërë risish në qasjen ndaj të drejtës penale në Shqipëri, përfshirë edhe propozimin e bujshëm për lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Gjatë prezantimit, drejtuesi i grupit të punës, Arben Rakipi – njëherazi Drejtor i Shkollës së Magjistraturës – theksoi se ky propozim është një hap i guximshëm që ka ngjallur debate intensive mes ekspertëve të fushës.
“Po, ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht edhe për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Është një propozim i guximshëm, por i menduar. Njerëzit ndryshojnë gjatë kohës së qëndrimit në burg. Ky parim aplikohet edhe në shumë vende perëndimore”, tha Rakipi.
Sipas tij, përpos riedukimit të të dënuarve, roli i viktimës në këtë proces do të jetë vendimtar. Gjykatat do të detyrohen të marrin në konsideratë ndjeshmërinë e viktimës, përpara se të vendosin për lirimin me kusht.
Në draftin e ri janë përfshirë gjithashtu:
Përshkrimi ligjor i koncepteve kryesore penale, për të shmangur keqinterpretimet në gjykata.
Rishikimi i mënyrës së dënimit, duke detajuar kriteret mbi të cilat gjykata duhet të bazohet.
Zgjerimi i dënimeve plotësuese, sidomos për veprat penale që gjenerojnë përfitime pasurore, ku konfiskimi i pasurisë shihet si masë kryesore parandaluese.
Fuqizimi i rolit të viktimës, në çështjet e dënimit, uljes së tij apo lirimit me kusht.
Ky kod i ri vjen në një kohë kur sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re, pas reformës së thellë të vitit 2016 dhe përpjekjeve për integrim në Bashkimin Evropian. Sipas Rakipit, vendimmarrja e gjykatave do të orientohet më qartë drejt standardeve të një drejtësie efektive dhe të drejtë.
Drafti do të jetë për disa javë në konsultim publik dhe më pas pritet të dërgohet për miratim në Kuvend.