Ish-kryetarja e LSI dhe deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku iu komunikua mbyllja e hetimeve ndaj saj në kuadër të një dosjeje të ndjekur nga SPAK për çështje që lidhen me pasurinë dhe deklarimet përkatëse.
Por para se të hynte në godinën e SPAK, Kryemadhi tërhoqi vëmendjen me një veprim simbolik dhe batutë publike: ajo hoqi unazën nga gishti dhe iu drejtua gazetarëve me pyetjen:
“Ku ta lë tani këtë? Ka njeri këtu?”
Veprimi i Kryemadhit, edhe pse i papërcjellë me ndonjë koment sqarues, interpretohet si një gjest sfidues ose simbolik, në një moment ku figurat kryesore të opozitës po përballen me hetime të thelluara të Prokurorisë së Posaçme.
Në vijim, me tone ironike dhe batuta me përfaqësuesit e mediave, Kryemadhi shtoi: “Po bëjmë gati skenarin e filmit të radhës.”
Kujtojmë se SPAK ka hetuar Monika Kryemadhin për mosdeklarim të saktë të pasurisë dhe transaksione financiare të dyshimta, ndërkohë që çështja ka qenë e lidhur me disa elementë të hetimeve mbi Ilir Metën.
Një ditë më parë, SPAK thirri për të njëjtën çështje nënën e Kryemadhit, çka ka sjellë edhe reagime të forta publike nga ana e deputetes, duke e konsideruar këtë “një farsë politike”.



