Një lëvizje lobuese e Partisë Demokratike në Uashington ka ngjallur polemika në Shqipëri, pasi kompania amerikane Continental Strategy ndryshoi përmbajtjen e një letre zyrtare drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), në përpjekje për të kërkuar heqjen e shpalljes “non grata” të Sali Berishës.
Fillimisht, në letrën e datës 22 korrik, Berisha paraqitej si “një figurë jo aktive në politikë”, për të justifikuar se shpallja e tij nga SHBA si person i padëshiruar nuk ishte më e vlefshme. Vetëm 8 ditë më pas, kompania lobuese ndryshoi këtë përshkrim, duke e përditësuar letrën dhe e cilësuar Berishën si “një lider opozitar aktiv dhe figurë popullore politike në rajon”.
Në versionin e korrigjuar të letrës, Continental Strategy shkruan:
“Ky raport i korrigjuar rregullon një version të mëparshëm… që, ndonëse z. Berisha nuk mban asnjë post qeveritar, ai mbetet një figurë aktive politike dhe udhëheqësi aktual popullor i partisë opozitare në Shqipëri.”
Ky ndryshim vjen pas kritikave publike ndaj përpjekjes për ta portretizuar Berishën si “të tërhequr” nga politika, në një kohë kur ai vijon të jetë lider i opozitës, del çdo ditë në media dhe kontrollon de facto Partinë Demokratike.
Letra kishte për qëllim të bindte zyrtarët amerikanë se shpallja e Berishës sipas nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit ishte “e padrejtë, politike dhe pa bazë faktike”, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të këtij statusi.
Në një paragraf të letrës, thuhet:
“Shpallja ndaj Berishës kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që tashmë kritikët e përshkruajnë si ‘shtet narkotik’.”
Continental Strategy është një firmë amerikane e konsulencës politike, me lidhje të ngushta me qarqet republikane dhe stafin e ish-presidentit Donald Trump. Kontrata e PD-së me këtë kompani ka një vlerë të raportuar deri në 6 milionë dollarë, për lobim dhe përmirësim të imazhit të partisë dhe të Berishës në arenën ndërkombëtare.
Përpjekja për të ndryshuar statusin e Berishës si “non grata” vjen në një moment kur ai është nën masë sigurie nga drejtësia shqiptare dhe përballet me akuza të shumta korrupsioni.
Ndryshimi i përmbajtjes së një letre zyrtare të dorëzuar pranë institucioneve amerikane ngre pyetje serioze mbi etikën e lobimit politik, por edhe për strategjinë e dyfishtë të komunikimit një profil për zyrtarët e huaj, dhe një tjetër për opinionin publik në Shqipëri, raporton TCH.
Zhvillimi ka ndezur debat në Tiranë, ku kritikët e shohin si përpjekje për manipulim të qëndrimeve ndërkombëtare, ndërsa mbështetësit e Berishës këmbëngulin se shpallja e tij ka qenë e pajustifikuar që në fillim.



