Gjatë vitit 2024, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka finalizuar 6 inspektime tematike, duke lënë në total 54 rekomandime për përmirësimin e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe administratës së prokurorisë në Shqipëri.
Nga këto rekomandime, 9 lidhen me nxjerrjen e akteve dhe miratimin e tyre, 29 për ndërmarrjen e veprimeve administrative, ndërsa 15 rekomandime janë adresuar drejtpërdrejt Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Që nga fillimi i funksionimit të Zyrës, janë kryer 21 inspektime, ku 12 prej tyre janë përfunduar dhe raportet janë publikuar në faqen zyrtare, duke përfshirë gjithsej 118 rekomandime.
Inspektimet kanë verifikuar punën e gjykatave, administratës gjyqësore dhe prokurorisë, bazuar në kërkesat e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Mes temave të trajtuara janë ankesat për “lirimin me kusht” në 15 gjykata të shkallës së parë dhe 5 gjykata Apeli, respektimi i masave të sigurimit personal për vepra penale që lidhen me armë në prokuroritë e Fierit, Shkodrës dhe Vlorës, si dhe marrëdhëniet mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë në disa rajone të vendit.
Inspektimet kanë përfshirë gjithashtu shqyrtimin e ndarjes së çështjeve me short dhe kontrollin e raporteve elektronike në Gjykatën e Lartë dhe në gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Zyra ka monitoruar gjithashtu praktikat për zëvendësimin e prokurorëve dhe caktimin e çështjeve në SPAK dhe gjykata të tjera në qytete si Elbasan, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë.
Përveç këtyre, inspektimet kanë kontrolluar procedurat e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore në gjykata të ndryshme, duke përfshirë edhe dokumentimin e informimit të palëve për mundësinë e ndërmjetësimit.
Temat e inspektimeve, si ndarja e çështjeve me short dhe zëvendësimi i prokurorëve, do të vazhdojnë të monitorohen edhe në vitet e ardhshme për një përmirësim të qëndrueshëm të sistemit të drejtësisë.