Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka futur në ligj një nen “antikushtetues”, i cili sipas tij i jep kreut të SPAK-ut të drejtën të regjistrojë telefonat e gjykatësve.
“Pas largimit të PD nga parlamenti, Rama miratoi një nen që autorizon kreun e Skapit të regjistrojë telefonat e gjykatësve që i dërgohen dosjet. De facto, të gjithë gjykatësit e gjykatës speciale janë nën kontrollin e plotë të Altin Troplinit,” – u shpreh Berisha.
Ai theksoi se kjo praktikë është e papranueshme dhe “nuk ndodh askund në botë”, duke e cilësuar si shkelje të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
“Nuk mund të pranohet kurrë që një prokuror të regjistrojë telefonin e gjykatësit që i çon dosjen. Ky është një parim i panjohur dhe i papranueshëm,” – tha Berisha, duke shtuar se vendimi do të ndiqet në rrugën ligjore dhe do të apelohet.