Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili sipas tij ka marrë në mbrojtje interesat e një pallati të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku aktualisht është sistemuar Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK). Objekti në fjalë ka zëvendësuar godinën e vjetër të institucionit, e cila ishte e amortizuar dhe e dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Në një reagim publik, Rama e quajti vendimin “skandaloz” dhe një “kërcënim të drejtpërdrejtë për fatet e Reformës në Drejtësi”.
“Se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik,” u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, vendimi i gjyqtarit Balliu dhe përfshirja e prokurores Gjeli janë një shembull i qartë i mbrojtjes së ndërtuesve të paligjshëm nga pjesëtarë të sistemit të drejtësisë. Ai kërkoi që organet e qeverisjes së gjyqësorit të reagojnë dhe të garantojnë zbatimin e ligjit.
“Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut. Por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që organet e kontrollit të zgjojnë nga gjumi i tyre,” theksoi Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se vendime të tilla minojnë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen e Reformës në Drejtësi, të cilën e cilësoi “një proces jetik për Shqipërinë”.




