Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar pas kërkesës së tij ndaj SPAK për t’u njohur me materialet hetimore. Ata theksojnë se, ndonëse Veliaj ka kërkuar kopje fizike të dosjes, prokuroria i ka vënë në dispozicion vetëm një USB, të cilën ai nuk mund ta përdorë në kushtet e izolimit.
Sipas deklaratës, kjo situatë po e pengon Veliajn të përgatisë një mbrojtje efektive, duke cenuar të drejtën e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokatët shtojnë se SPAK refuzon gjithashtu të lejojë takime me përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të Veliajt, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën e Strasburgut.
“SPAK po e trajton këtë rast me mentalitetin ‘në fillim arresto, pastaj heto’, duke e penguar Veliajn të mbrohet dhe të ushtrojë detyrën si kryebashkiak i Tiranës, i zgjedhur për tre mandate radhazi”, thuhet në deklaratë.
Reagim i avokatëve të Erion Veliaj!
Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës.