Me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, partitë politike kanë nisur përgatitjet për të dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deklarimin e shpenzimeve të fushatës. Afati ligjor për dorëzimin e dokumentacionit është 60 ditë pas miratimit të rezultatit, pra deri në fund të tetorit.
Për PD-në, vëmendja kryesore bie mbi shpenzimet për lobistin amerikan Chris LaCivita, për të cilin Sali Berisha ka refuzuar të tregojë shifrat, duke premtuar se kontrata do të publikohet vetëm në përputhje me ligjin. Ndër kandidatët më të shpenzuar janë Gjin Gjoni me 10 mijë euro dhe Belind Këlliçi me 8 mijë euro, shumica donacione. Sali Berisha, Edi Paloka dhe Flamur Noka kanë deklaruar zero shpenzime.
Në kampin socialist, shpenzimet më të mëdha janë regjistruar në qarqet Elbasan dhe Vlorë. Olsi Komiçi ka raportuar mbi 27 mijë euro, Ardit Bido rreth 20 mijë euro dhe Damian Gjiknuri 10 mijë euro. Sara Mila ka shpenzuar 9 mijë euro, ndërsa Ministri i Drejtësisë në Lezhë vetëm 3 mijë euro. Disa kandidatë, si Endrit Brahimllari dhe Zegjine Çaushi, kanë deklaruar zero shpenzime, ndërsa për Edi Ramën ende nuk ka të dhëna të publikuara.
Pas dorëzimit të deklarimeve, KQZ do të kryejë auditimin financiar dhe çdo mospërputhje me shifrat e raportuara do të ndëshkohet me gjoba, si për kandidatët ashtu edhe për partitë.
Ky proces synon të sigurojë transparencë mbi fondet e fushatave dhe të shmangë abuzimin me burimet financiare gjatë garës elektorale.