Policia Rrugore e Tiranës ka një shef të ri, dhe emri i tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe publikut, Neritan Buzi.
Buzi ka shërbyer si shef i Komisariatit të Himarës, ku u dallua për menaxhimin e rasteve të ndërlikuara dhe për organizimin e punës në zona turistike me trafikun e lartë sezonal. Në qershor u transferua në doganën e Qafë Botës, duke marrë përgjegjësi të mëdha në kontrollin e kufirit jugor.
Neritan Buzi ka ndjekur kurse të avancuara për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë rrugore në disa shtete europiane, një detaj që nuk ishte bërë publik më parë.
Burime pranë Policisë tregojnë se ai ka qenë pjesë e disa operacioneve të ndërlikuara për kapjen e grupeve kriminale në Himarë, pa u ekspozuar ndonjëherë në media.
Në komisariatin që drejtoi më parë, Buzi njihet për kontrollin e rreptë të stafit dhe për metodën e tij strategjike për zgjidhjen e problemeve, duke mbajtur gjithmonë një profil të qetë publik.
Kujtojme se “Rrugorja” e Tiranës ka kaluar periudha të trazuara, duke kaluar nga drejtimi i Roven Zekës, i arrestuar nga SPAK, te Lorenc Shehu, që tani i ka lënë vendin Buzit. Sfida kryesore e tij do të jetë menaxhimi i trafikut të kryeqytetit dhe rritja e sigurisë rrugore, ku pritshmëritë e qytetarëve janë të larta.



