Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që bizneset e dëmtuara gjatë protestave të kompensohen financiarisht, ndërsa ka paralajmëruar masa ligjore kundër akteve të vandalizmit. Çështja është diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të hënë.
Sipas burimeve nga mbledhja, Rama ka theksuar se nuk do të lejohet vandalizmi ndaj qytetit dhe ka kërkuar që fondet për dëmshpërblimin e bizneseve të përfshihen në projektbuxhetin e vitit 2027, i cili pritet të kalojë këtë javë në qeveri.
Krahas masave kundër dëmtimit të pronës gjatë protestave, kreu i qeverisë u ka kërkuar deputetëve socialistë që në komunikimin me qytetarët të përqendrohen te politikat sociale dhe paketa e strehimit.
Rama ka theksuar se qeveria do të vijojë zbatimin e politikave sociale, ndërsa paketa e strehimit duhet të jetë një prej çështjeve kryesore në komunikimin e përfaqësuesve të mazhorancës me qytetarët.
Gjatë diskutimeve është trajtuar edhe ligji për tubimet, i miratuar në vitin 2001. Meqë ndërhyrja e propozuar parashikon vetëm një ndryshim në këtë ligj, po shqyrtohet mundësia që nisma të ndiqet me procedurë të përshpejtuar.
Diskutimet në grupin parlamentar vijnë pas paralajmërimit të Ramës për një paketë masash ligjore kundër dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave. Në fokus janë si ndëshkimi i akteve të vandalizmit, ashtu edhe kompensimi financiar i bizneseve që kanë pësuar dëme.



