Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka ironizuar betejën e pafund të Partisë Demokratike për çështjen e vulës së partisë. Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani thekson se prej më shumë se tre vitesh në PD zhvillohet i njëjti debat: kush e ka vulën, duke përmendur emra si Lulzim Basha, Alibeaj, Gazi, Muli dhe Sali Berisha.
“Po hyjnë në vitin e katërt duke kërkuar ku është vula. Luli, Alibasha, Gazi, Muli, Saliu… kjo është e gjithë beteja në PD e në opozitë. Më shumë se tre vite, njësoj, i njëjti muhabet,” shkruan Manjani, duke nënvizuar absurditetin e debatit të gjatë për këtë çështje.
Megjithatë, ai ironizon se opozita gjen vulën shumë shpejt kur bëhet fjalë për interesa financiare, duke përmendur rastin e La Civitës, ku, sipas tij, vula u gjet menjëherë dhe çështja u çua deri në Shtetet e Bashkuara. “Se vula e shkretë nuk është nongrata. Nuk kërkon as vizë për të shkuar në Amerikë. Thjesht kërkon një xhep ku të rrijë dhe një çantë me para me vete,” shkruan Manjani.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime të ndryshme në rrjetet sociale, duke nxitur debate mbi mungesën e transparencës dhe debatet e brendshme të PD-së.