Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit I.M., i akuzuar për vrasje me paramendim, në dëm të viktimës P.P.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 22 janar 2024, në fshatin Vig, kur I.M. ka qëlluar me armë zjarri P.P. ndërsa ky i fundit po ecte me një tjetër person. Pas kryerjes së aktit, autori lajmëroi policinë dhe u largua drejt banesës së tij.
Hetimet tregojnë se motivi i vrasjes ishte hakmarrja, pasi viktima kishte plagosur më parë vajzën e të pandehurit dhe vajzën e vëllait të tij, një veprim për të cilin viktima kishte vuajtur 12 vite burgim. Konflikti mes palëve nuk ishte mbyllur edhe pas përfundimit të dënimit, madje disa muaj para ngjarjes, I.M. kishte kërcënuar viktimën përmes dajës së tij.
Prokuroria thekson se i pandehuri ka konsumuar tërësisht elementet e veprës penale “Vrasja me paramendim”, sipas nenit 78/2 të Kodit Penal, dhe kërkon dënimin e tij me burgim të përjetshëm.