back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Aruba”/ Berisha: Rama u kthye me një orë 400 mijë euroshe me...

“Aruba”/ Berisha: Rama u kthye me një orë 400 mijë euroshe me diamante e safire

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, vijoi me akuzat e forta ndaj kryeministrit Rama, duke e cilësuar si arkitektin e narkoshtetit shqiptar. Berisha u shpreh para gazetarëve se takimi i Ramës në Aruba është dëshmia më flagrante e bashkëpunimit me grupe narkoterroriste të shpallura nga SHBA, nga i cili kryeministri u kthye me një orë luksoze 400 mijë euroshe me diamante e safire, simbol i marrëveshjeve të tij me krimin e organizuar.

Lideri opozitar, Sali Berisha theksoi se raporti i fundit i DASH flet qartë për një narkoekonomi, pa investime të huaja dhe të dominuar nga paratë e drogës. Berisha rikujtoi se kompani gjigante si “Shell” dhe investitorë të mëdhenj të real estate u larguan nga Shqipëria, pasi tregu u pushtua nga kartelet. “Në vend të shtetit ligjor kemi shtetin e mafies, në vend të ekonomisë së tregut kemi narkoekonominë”, tha Berisha, duke shtuar se kjo situatë ka nxitur emigrimin masiv të shqiptarëve.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi gjithashtu një pjesë të diplomacisë ndërkombëtare se ka mbështetur ngritjen e narkoshtetit, duke përmendur rolin e ish-ambasadorit Donald Lu, George Sorosit dhe heshtjen e BE-së, por u shpreh optimist se kohët kanë ndryshuar. “Sot përfaqësuesit e SHBA sjellin mesazhe të qarta kundër karteleve të drogës, të cilat po trajtohen si rrezik i barabartë me terrorizmin. Ka ende diplomatë që e mbrojnë narkoshtetin, por dielli me shoshë nuk mbulohet”, shtoi ndër të tjera Berisha.

Duke iu referuar zgjedhjeve në Tiranë, Berisha deklaroi se përpjekjet e Ramës për pazar me Erion Veliajn dështuan, pasi ky i fundit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Lideri demokrat shtoi se opozita ka disa kandidatura të forta dhe të pakrahasueshme me “Korbën e Korrupsionit”. Në këtë kuadër, Berisha ironizoi kandidimin e Ogerta Manastirliut, duke thënë se tronditja e saj në momentin e shpalljes tregon se Rama “i lau duart me të” dhe e dorëzoi në fatin e Veliajt. Berisha e akuzoi Manastirliun për abuzime me tenderat e pandemisë dhe fshehjen e numrit të viktimave të Covid-19, duke theksuar se ajo është e papranueshme për qytetarët e kryeqytetit.

“Opozita është e përkushtuar për transparencë të plotë dhe ka kandidatë që nuk krahasohen me figurat e korruptuara të Ramës. Narkoshteti shqiptar është një rrezik madhor për qytetarët, rajonin dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, përfundoi kryetari i PD, Sali Berisha.

FJALA E PLOTË

Mirëdita!

Takimi i Arubës përcillet në heshtje varri nga Edi Rama dhe narkoministrat e tij.

Por, Aruba është dëshmia më flagrante ndërkombëtare e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të Edi Ramës me grupet terroriste të shpallura nga SHBA të narkoterroristëve shqiptare dhe ndërkombëtarë.

Edi Rama po bën gjithçka që ta arkivojë në harresë Arubën, por kjo nuk do mund të ndodhë.

Garantoj shqiptarët se opozita është totalisht e përkushtuar për transparencë të plotë, pasi në këtë takim, marrëveshja midis narkoqeverisë dhe narkoterroristëve, për të shndërruar Shqipërinë në parajsën e parave të tyre të krimit.

Nga ky takim, thuhet se Edi Rama u kthye me një orë 400 mijë euroshe, me diamante dhe safire të çmimeve më të larta.

Edi Rama nuk flet për takimin e Arubës sepse ky takim njëlloj si Maduron e Venezuelës, e shpall atë një kryetar të narkoshtetit të parë dhe të vetëm të kontinentit.

Ne, PD, e cila ka qëndruar fuqishëm siç e dini ju që në fillim e gjer sot ka denoncuar pa ndërprerje narkoshtetin shqiptar, pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit, zëvendësimin e shtetit ligjor me shtetin e mafies, zëvendësimin e ekonomisë së tregut me narkoekonomi, largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria, ndjehet e inkurajuar nga vendimet e fundit të presidentit Trump, i cili i shpalli kartelet e drogës si organizata terroriste.

Por dua të informoj shqiptarët se presidenti i Francës gjithashtu vendosi të përdorë ushtrinë, njësitë të saj të specializuara, kundër organizatave të krimit të organizuar.

Çfarë tregojnë këto? Këto tregojnë se kartelet e drogës dhe organizatat kriminale përbëjnë rrezik madhor për sigurinë e vendeve, sigurinë e rajoneve, rrezik madhor për paqen dhe sigurinë në botë.

Shqipëria është shndërruar nga Edi Rama në parajsën e larjes së parave të klaneve dhe karteleve më të rrezikshme në Europë.

Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një patern ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë.

Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimore sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre.

Sepse janë terroristët e karteleve të drogës ata që dominojnë tërësisht tregun shqiptar, ata që kanë shkatërruar tërësisht konkurrencën, ata të cilët janë më të preferuarit apo që i diktojnë Edi Ramës.

Ndaj me të drejtë në raport flitet për një korrupsion të madh qeveritar, korrupsion të madh në gjyqësor.

Flitet për paratë e drogës, për mungesën e investimeve të huaja, që të gjitha këto tipike për një narkoshtet.

Rikujtoj këtu se kompani të mëdha botërore, gjatë këtyre viteve u larguan nga Shqipëria.

Rikujtoj këtu se të gjitha akset e mëdha rrugore, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, u ndërtuan nga kompani ndërkombëtare me reputacion të madh.

Rikujtoj këtu se zbarkuan në Shqipëri gjigantë si Shelli, pavarësisht rezultatit, por shpenzoi mbi 1 miliard euro në shpatet e Shpiragut dhe zona të tjera në kërkim të naftës.

Kompani të tjera në real estate kishin projekte mbi 1 miliard e gjysëm dhe ato u larguan të gjitha nga Shqipëria që të gjitha sepse u zëvendësuan nga kartelet e drogës.

PD do vazhdojë misionin e saj të transparencës së plotë, pavarësisht avoketërve të narkoshtetit, pavarësisht çfarë pozicioni kanë dhe ku ndodhen, me bindjen e plotë se narkoshteti shqiptar është rrezik madhor për qytetarët shqiptarë, për qytetarët e rajonit, për BE-në, partnerët tanë përtej Atlantikut.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat