back to top
0.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaPas tragjedisë në gjykatë/ EAJ kërkon mbrojtje për gjyqtarët

Pas tragjedisë në gjykatë/ EAJ kërkon mbrojtje për gjyqtarët

Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) ka miratuar një rezolutë të posaçme, ku i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë të marrë masa të menjëhershme dhe efektive për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, pas vrasjes tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit më 6 tetor.

Në dokumentin e miratuar më 14 tetor 2025, gjatë mbledhjes në Baku, EAJ – organizata më e madhe e gjyqtarëve në Evropë – e cilëson ngjarjen si “tronditëse dhe alarmante për klimën e sigurisë në sistemin gjyqësor shqiptar”, duke kërkuar reflektim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore.

“Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve u informua nga Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve për vrasjen e një gjyqtari në një gjykatë apeli në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë ndërsa po shpallte një vendim,” – thuhet në rezolutë.

“Delegatët u tronditën nga ky lajm dhe shprehën ngushëllimet për familjen, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit.”

EAJ shpreh shqetësim të thellë për rrethanat në të cilat ndodhi akti, duke theksuar se gjyqtarët në Shqipëri po punojnë nën presion të lartë, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore pas procesit të vetingut, por edhe për shkak të sulmeve publike nga figura politike dhe në media.

Në dokument thuhet se:

“Gjyqtarët kanë qenë së fundmi objekt i sulmeve publike abuzuese, përfshirë publikimin e fotografive të tyre dhe fyerje në rrjetet sociale. Thirrjet për ndalimin e këtyre praktikave janë injoruar, duke minuar besimin publik te drejtësia.”

Shoqata rikujton se standardet evropiane janë të qarta, dhe çdo formë presioni, kërcënimi apo sulmi ndaj gjyqtarëve bie ndesh me parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Në rezolutën e saj, EAJ i kërkon qeverisë shqiptare që të:

garantojë respektimin e plotë të pavarësisë gjyqësore;

ndalojë sulmet, kërcënimet dhe kritikat e pajustifikuara ndaj gjyqtarëve;

marrë masa konkrete për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe funksionimin normal të gjykatave.

Shoqata thekson se ekzekutivi dhe legjislativi kanë detyrim kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur gjyqësorin nga çdo formë presioni apo dhune, duke nënvizuar se besimi publik në drejtësi nuk mund të ekzistojë në një klimë frike apo pasigurie.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ndodhi më 6 tetor 2025 në ambientet e Gjykatës së Apelit, menjëherë pasi ai shpalli një vendim për një konflikt pronësie. Autori, Elvis Shkambi, 30 vjeç, familja e të cilit ishte palë në procesin gjyqësor, hapi zjarr ndaj gjyqtarit në sallën e gjyqit, duke shkaktuar një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe komunitetin juridik në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat