Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm materialet proceduriale në ngarkim të punonjësit të policisë E. H., i cili shërben si Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin Nr.5, për dyshimet e kryerjes së veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Sipas hetimeve paraprake, mbrëmjen e djeshme, punonjësi i policisë është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me disa persona në ambientet e një lokali në Tiranë. Situata është agravuar dhe punonjësi dyshohet se ka kanosur personat me armën e shërbimit gjatë incidentit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin disiplinor-administrativ ndaj punonjësit, ndërsa vijon edhe procedura për zbardhjen e plotë të ngjarjes.