Në kuadër të konferencës me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, e cila zhvillohet në tre panele me fokus te reforma në drejtësi, procesi i vettingut, reforma zgjedhore dhe drejtësia kushtetuese, fjalën e mori edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Sadushi theksoi se “Reforma në drejtësi shkëputi lidhjet me politikën,” por nënvizoi se sistemi drejtues i drejtësisë shqiptare ende përballet me sfida të konsiderueshme, duke përfshirë mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve si një nga problemet kryesore.
Ai shtoi se “Reforma në drejtësi nuk ka përfunduar me ngritjen e institucioneve të reja”, duke theksuar se ngritja e këtyre institucioneve është vetëm fillimi i një procesi të gjatë transformimi, i cili duhet të ndiqet nga një periudhë konsolidimi të institucioneve të drejtësisë shqiptare.
Duke iu referuar procesit të vettingut, Sadushi theksoi se gjatë këtij procesi “u krijua perceptimi i standardeve të dyfishta”, një sfidë që kërkon përmirësim për të garantuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Ai theksoi gjithashtu se për të përmbushur misionin e reformës, nevojiten profesionistë të pavarur dhe të përkushtuar, duke shtuar se procesi i vettingut kishte dimension moral dhe institucional.



