Arben Llangozi
Ditën e sotme, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u paraqit në ambientet e SPAK për t’u marrë në pyetje, por ajo që ndezi vëmendjen publike nuk ishte prania e saj, as përgjigjet e dhëna për hetuesit, por shoqëruesja që kishte përkrah motra e saj, Pamela Qirko.
Dikur anëtare e institucioneve të Vettingut, një prej strukturave më të rëndësishme të reformës në drejtësi, sot ajo shfaqet në rolin e avokates mbrojtëse të familjes.
Një kthesë e beftë, që për ironi të fatit, ndodh brenda 24 orëve nga momenti që ajo regjistroi NIPT-in e saj me numrin L52230003R, më 30 tetor 2025.
Të nesërmen, më 31 tetor, ja ku shfaqet në SPAK, në mbrojtje të zëvendëskryeministres së vendit. Një “rastësi” e denjë për filmat politikë shqiptarë, ku gjithçka ndodh në momentin e duhur, për personin e duhur dhe për arsye që të gjithë i kuptojnë, por askush nuk i thotë me zë të lartë.
Ky veprim, që në pamje të parë mund të dukej si një zgjedhje familjare për mbështetje morale, në fakt përbën një akt me pasoja të rënda ligjore dhe etike. Sipas ligjit, ish-anëtarëve të institucioneve të Vettingut u ndalohet ushtrimi i çdo veprimtarie që përbën konflikt interesi për një periudhë kohore pas përfundimit të mandatit.
Ata, për një vit të plotë, vijojnë të paguhen nga shteti, pikërisht për të shmangur çdo ndikim të mundshëm apo shfrytëzim të statusit të tyre në përfitim personal apo politik. Pamela Qirko, nëse vazhdon të përfitojë këtë pagesë, nuk ka të drejtë të ushtrojë avokatinë, aq më tepër të përfaqësojë një figurë të rangut të lartë politik që ndodhet nën hetim nga SPAK.
Pra, përballë kemi një situatë ku një ish-anëtare e vettingut, që deri dje kontrollonte pastërtinë e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve, sot ndodhet përballë tyre jo për t’i vlerësuar, por për t’i bindur të mos prekin motrën e saj. Kjo tablo ironike tregon më shumë se çdo raport ndërkombëtar mbi mënyrën se si reformimi i drejtësisë shqiptare shpesh kthehet në karikaturë, ku personazhet ndërrrojnë rolet sipas interesit të ditës.
Në këtë rast, pyetja që lind natyrshëm është, a kemi të bëjmë me një përpjekje të koordinuar për të ushtruar presion ndaj SPAK? Regjistrimi i menjëhershëm i NIPT-it, një ditë para daljes në mbrojtje, ngjan më shumë me një lëvizje të paracaktuar sesa me një vendim të rastësishëm profesional. Edhe vetë simbolika është domethënëse, një ish-punonjëse e sistemit të vettingut, që kishte për detyrë të garantojë integritetin e drejtësisë, shkon sot përballë atij sistemi, për ta “bindur” se e vërteta është në anën e pushtetit.
Në çdo vend normal, një veprim i tillë do të ngjallte reagim institucional dhe hetim disiplinor. Por në Shqipëri, ku hijet e lidhjeve familjare e politike ndërthuren me sistemin e drejtësisë si rrënjët në tokë, duket se gjithçka është e lejuar madje edhe kur bie ndesh me ligjin. SPAK duhet të tregojë se është imun ndaj këtij lloj presioni të butë, që vjen jo me kërcënime të hapura, por me “prezencë simbolike”, një ish-vetueshe që rri në krah të motrës zëvendëskryeministre, duke i kujtuar prokurorëve se ajo dikur gjykonte të tjerë si ata.
Në fund të fundit, ky rast nuk është thjesht për Belinda Ballukun apo Pamela Qirkon është për mënyrën se si drejtësia shqiptare testohet përballë fuqisë së pushtetit dhe lidhjeve të gjakut. Dhe sot, ajo provë po zhvillohet në korridoret e SPAK, ku dikur vettohej drejtësia, ndërsa sot, duket se ajo po vihet në provë nga vetë “vetuesit” e saj.
Ky veprim i Pamela Qirkos, që ka ushtruar funksionin e avokates ndërkohë që ligjërisht ndodhet ende nën pagesë nga shteti si ish-anëtare e institucioneve të vettingut, përbën shkelje të hapur të ligjit dhe mund të konsiderohet si vepër penale për ushtrim të paligjshëm të profesionit dhe konflikt interesi.
Duke qenë se ajo ka status të veçantë si ish-funksionare e sistemit të drejtësisë, kompetent për hetimin dhe ndëshkimin e këtij rasti është vetë SPAK, institucioni që tashmë ndodhet përballë një prove të ndjeshme, a do të veprojë me të njëjtin standard ligjor ndaj Pamela Qirkos, duke urdhëruar arrestimin e saj në flagrancë për ushtrim të paligjshëm të detyrës, apo do të zgjedhë heshtjen, duke i dhënë kështu legjitimitet abuzimit institucional që po ndodh në sytë e të gjithëve?