Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi dje se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kishte lënë qelinë rreth 2-3 javë më parë, rreth orës 23:00, por sipas tij nuk shkoi në spital.
Berisha tha se informacionet për destinacionin e Veliaj janë të ndryshme dhe nuk mund të konfirmojë asnjërën prej tyre.
“Ishte në Surrel, ishte këtu apo… nuk e di se ku ishte, të them haptas, se po ta dija e them. Por atë që di 100% di që e la qelinë dhe nuk shkoi në spital,” tha Berisha.
Ai komentoi gjithashtu vendimet e gjykatësve që votuan kundër dekretit të presidentit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, duke theksuar se ata respektuan parimet ndërkombëtare të Komisionit të Venecias.
Berisha i referohet gjithashtu trajtimit të Veliaj në qeli, duke cituar fjalët e tij se ishte trajtuar “me regjimin e vrasësit serial”, dhe e krahasoi përjetimin e tij me metodologjitë e ushtrisë së drogës së Kolumbisë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur gjykimi dhe debatet për rikthimin e Veliaj në detyrë vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes publike.



