Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për ish-presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për shuarjen e kësaj mase.
Apeli, me gjyqtare Saida Dollani, shqyrtoi sot ankimin e Metës ndaj vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Shkallës së Parë, i cili kishte urdhëruar vazhdimin e arrestit me argumentin se kushtet ligjore për zëvendësim apo shuarje të masës nuk ekzistonin.
Pas analizimit të pretendimeve të palëve, Gjykata e Apelit vendosi të miratojë plotësisht vendimin e Shkallës së Parë, duke mbajtur të pandryshuar masën e sigurisë ndaj kreut të Partisë së Lirisë.
Njoftimi zyrtar i GJKKO Apelit tha:
-
U shqyrtua ankimi i të pandehurit I.M. kundër vendimit të Shkallës së Parë për shuarjen e masës së “arrestit në burg”.
-
Gjykata vendosi miratimin e vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025, duke lënë në fuqi arrestin në burg.
-
Vendimi u shpall në Tiranë më datë 14.11.2025.
Me këtë vendim, Ilir Meta mbetet në masën më të rëndë të sigurisë, ndërsa hetimet ndaj tij nga SPAK vijojnë.



