Drejtori i Agjencisë për Mbikëqyrjen e Prokurimeve (AMP), Eduart Merkaj, raportoi të hënën në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur pesë ditë më parë në Rinas, ku u vra në një atentat mafioz Gilmando Dani dhe shoqëruesi i tij, Mustafa Sheqeri, agjent i AMP.
Merkaj bëri të ditur se agjencia ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për procesin e rekrutimit dhe vijueshmërinë në punë të agjentit Sheqeri.
“Situata e Rinasit është sensitive dhe e rëndë. Janë marrë masa nga AMP, qoftë me përjashtim dhe masa disiplinore, qoftë me dorëheqje të personave që e kanë parë të arsyeshme të mos jenë pjesë e AMP. Janë ngritur grupe pune për kontrollin e secilit nga punonjësit e AMP, nëse ka pasur shkelje gjatë rekrutimit ose në vijim. AMP ka bërë kallëzim në Prokurori jo për të kursyer ndonjë nga punonjësit tani. AMP, duke bashkëpunuar me Prokurorinë, do të ngrejë një grup hetimor që të mos ketë pretendime për anshmëri,” tha Merkaj.
Ai theksoi se deri tani nuk janë marrë masa konkrete ndaj punonjësve të tjerë, por grupet e ngritura do të verifikojnë çdo shkelje të mundshme dhe do të sigurojnë transparencë në proces.



