Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është përballur me akuza të reja të rënda lidhur me rrethimin e Sarajevës, pasi gazetari investigativ kroat Domagoj Margetiç deklaroi se ai ka qenë i pranishëm në grupet paraushtarake serbe nga ku të huaj të pasur dyshohet se paguanin për të qëlluar civilë boshnjak gjatë viteve 1992–1996.
Margetiç ka depozituar një ankesë zyrtare në Prokurorinë e Milanos, e cila tashmë ka hapur një hetim mbi të ashtuquajturat “safari snajperësh”, ku dyshohet se italianë, rusë dhe amerikanë kishin paguar para në këmbim të mundësisë për të qëlluar nga pozicionet dominuese mbi Sarajevë.
Gazetari kroat tha se në dosjen e tij ka paraqitur “prova video, audio dhe materiale fotografike” që sipas tij e vendosin Vuçiçin në vendngjarje gjatë viteve 1992–1993, kur ai supozohet se ishte pjesë e një njësie paraushtarake të lidhur me Partinë Radikale Serbe. Njësia, sipas pretendimeve, ishte e pozicionuar në varrezat hebraike të Sarajevës, një prej zonave më të përdorura nga snajperët serbë.
Videot e publikuara dhe reagimi i Beogradit
Një nga videot e publikuara së fundmi shfaq një person që pretendohen të jetë Aleksandar Vuçiç duke udhëtuar me një automjet ushtarak, në bagazhin e të cilit duket një kafkë njerëzore me helmetë të UN-it.
Mbështetësit e presidentit kanë mohuar kategorikisht që objekti të jetë një kafkë, duke thënë se ai ishte “një televizor” ose “një trekëmbësh kamerash”, pasi Vuçiç në atë periudhë punonte si gazetar. Vetë Vuçiç ka deklaruar se objekti ishte thjesht “një çadër”.
Zëdhënësja e presidentit, Suzana Vasiljeviç, reagoi ashpër ndaj akuzave:
“Pretendimet e Margetiçit janë dezinformim dashakeq i ndërtuar për të dëmtuar institucionet e Serbisë dhe reputacionin e presidentit. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet luftarak.”
Ajo i cilësoi akuzat si “të motivuara politikisht”.
Prokuroria italiane: Hetimet vazhdojnë
Hetimet në Milano nisën pas informacioneve se të huaj të pasur paguanin për të marrë pjesë në të shtuara ndaj civilëve boshnjakë. Sipas diplomatit italian Michael Giffoni, “turistët e luftës” dërgoheshin nga milicitë serbe në kodrat mbi Sarajevë kundrejt pagesave të majme.
Giffoni tha se agjencia italiane e inteligjencës SISMI ishte informuar për fenomenin dhe kishte bërë përpjekje për ta ndalur, edhe pse asnjë shtetas italian nuk u identifikua zyrtarisht.
Ekspertët: Pretendime të rënda që kërkojnë hetim transparent
Ekspertët e Ballkanit thonë se megjithëse akuzat janë serioze, ato duhet trajtuar me kujdes të madh.
Helena Ivanov nga Henry Jackson Society deklaroi:
“Shumë histori të tmerrshme u përhapën gjatë luftës, disa të vërteta, disa jo. Pretendimet kaq shpërthyese duhet të mbështeten nga prova të jashtëzakonshme.”
Edhe analisti Jasmin Mujanovic, i cili publikoi një video të re që lidhet me çështjen, tha se ka “prova në rritje”, por kërkoi një hetim ndërkombëtar të thelluar.



