Ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë të re, përmes së cilës kërkon shfuqizimin e masës së detyrimit për t’u paraqitur, të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 3 janar 2025. Lajmin e ka raportuar gazetarja Anila Hoxha.
Sipas kësaj kërkese, dorëzuar më 20 nëntor, Berisha pretendon se masa e sigurisë që po zbaton prej afro një viti është antikushtetuese dhe kërkon që ajo të shfuqizohet nga Kushtetuesja. Menjëherë pas depozitimit të kërkesës, në Gjykatë është hedhur shorti dhe si relatore e çështjes është caktuar gjyqtarja Fjona Papajorgji.
Ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese është ende në pritje edhe një kërkesë tjetër e Berishës, e lidhur me masën e arrestit shtëpiak të caktuar ndaj tij më herët, e cila më vonë u shfuqizua. Kjo çështje është parashikuar të shqyrtohet më 17 dhjetor, në orën 10:00.
Edhe Jamarbër Malltezi në pritje të vendimit të Kushtetueses
Përveç çështjeve të Berishës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur edhe datën e seancës plenare për kërkesën e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit. Seanca do të mbahet më 15 janar 2026.
Malltezi kërkon shfuqizimin si antikushtetues të tre vendimeve gjyqësore:
– të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë (vendimi nr. 400, datë 30.07.2024),
– të Gjykatës së Posaçme të Apelit (vendimi nr. 172, datë 13.09.2024),
– si dhe të vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024, të njoftuar më 24.02.2025.



