Ish-kandidati Aulon Kalaja ka sqaruar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin qëllimin e takimit të fundit me Ervin Salianjin, Ilir Alimehmetin dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike.
Kalaja theksoi se takimi nuk kishte të bënte me ndonjë kryengritje apo fraksion të ri brenda PD-së, por ishte një takim i thjeshtë midis demokratëve që kanë marrë më shumë vota nga lista e hapur. Ai shtoi se ftesën për të marrë pjesë e kishte marrë nga Ervin Salianji.
“Ishte një kafe miqësore. Nuk u prodhua asnjë lajm, deklaratë apo foto. U diskutuan çështje që shqetësojnë PD-në. Unë gjithmonë kam pasur kritika për PD-në dhe i kam bërë publikisht. Mu kërkua të marr pjesë në këtë takim dhe do marr pjesë në çdo takim tjetër që është në të mirë të PD dhe në ringritjen e saj,” tha Kalaja.
Ky sqarim vjen pas spekulimeve për një mundësi fraksioni të ri brenda PD-së, të cilat Kalaja i mohoi tërësisht, duke theksuar karakterin miqësor dhe diskutues të takimit.



