KreuDrejtësiaDebati në seancë/ Pse u përplas Meta me prokurorin e SPAK-ut

Debati në seancë/ Pse u përplas Meta me prokurorin e SPAK-ut

Është zhvilluar në Gjykatën e Apelit të Posaçëm seanca për ankimin e ish-presidentit Ilir Meta kundër vendimit për pezullimin e afateve të paraburgimit. Relatore e çështjes ishte gjyqtarja e posaçme Saida Dollani.

Në nisje të seancës, Meta ishte sjellë sërish në kafaz, ndryshe nga seanca e mëparshme. Avokati i tij kërkoi që ish-presidenti të nxirrej nga kafazi dhe gjykata urdhëroi që Meta të ulej pranë mbrojtësit të tij.

Avokati i Metës kërkoi pranimin e ankimit, duke kundërshtuar pezullimin e afateve të paraburgimit.

“Referuar vendimit unifikues, pretendojmë se lejohet ankimi veçmas dhe, sipas jurisprudencës së Kushtetueses, gjykata e shkallës së parë, GJKKO, ka cenuar të drejtën time dhe standardet”, deklaroi avokati.

Meta u shpreh se i qëndronte tërësisht ankimit të paraqitur nga mbrojtësi i tij.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kërkoi që ankimi të mos pranohej. Sipas tij, vendimi i kundërshtuar ishte marrë më 27 prill, ndërsa ankimi ishte bërë në muajin korrik.

“Është një vendim i ndërmjetëm. Në rastin konkret, ky vendim është marrë më 27 prill, ndërsa ankimi është bërë në korrik. Ndaj mendojmë që ky ankim nuk duhet pranuar”, deklaroi Kllapi.

Prokurori argumentoi gjithashtu se vendimi i GJKKO-së për pezullimin e afateve ishte i bazuar në ligj.

Sipas tij, në momentin kur u mor vendimi, çështja po gjykohej ndaj pesë të pandehurve dhe jo në formën e ndarë që ka aktualisht. Kllapi tha se avokatja e Fatime Kryemadhit nuk kishte pasur prokurë për tagrat që i kishte dhënë klientja e saj dhe se SPAK kishte kërkuar saktësimin e akteve të përfaqësimit.

“Për këtë arsye shkaktare u bë mbrojtja, sepse shtyrja u bë për shkaqe të paarsyeshme dhe kërkuan pezullim të afateve të paraburgimit për Metën”, tha prokurori.

Avokati i Metës kundërshtoi sërish qëndrimin e SPAK-ut dhe deklaroi se mbrojtja i qëndronte ankimit.

Gjatë seancës, gjykata e pyeti avokatin nëse vendimi kundërshtohej në formë apo në thelb.

Avokati argumentoi se vendimmarrja duhej të ishte një vendim i arsyetuar dhe jo një urdhër.

“Ne mendojmë që duhet të jetë vendim dhe jo urdhër, dhe pasoja e këtij vendimi duhet të jetë i arsyetuar, se ndryshe unë s’kam si e ankimoj kur nuk është i arsyetuar. Vetëm kjo vendimmarrje është e paarsyetuar dhe, duke qenë i paarsyetuar, si ta ankimoja? Ne paraqitëm ankim brenda afatit ligjor”, tha ai.

Më pas, Meta mori fjalën dhe deklaroi se nuk ka munguar në asnjë seancë gjyqësore.

“Dua të theksoj se në asnjë rast unë nuk kam munguar në asnjë seancë gjykimi, jo vetëm të gjykimit paraprak, por edhe të themelit, por edhe në çështje të tjera”, tha Meta.

Ai solli si shembull rastet kur, edhe pse e dinte se avokati i tij nuk mund të merrte pjesë, ishte paraqitur vetë në gjykatë dhe kishte kërkuar që seanca të vijonte edhe pa avokatin.

Meta tha se edhe në rastin që po kundërshton, qëndrimi i tij kishte qenë që gjykimi të vazhdonte.

“Qëndrimi im atëherë ka qenë të vazhdojë seanca, por mbi të gjitha, ata persona në liri dhe më është dukur dhe vlerësoj që është e padrejtë se kur unë marr pjesë në gjyq, mua të më pezullohen afatet e paraburgimit”, u shpreh ai.

Sipas Metës, pezullimi i afateve nuk ka ardhur për shkak të tij dhe as në interesin e tij.

“Sepse kjo nuk është aspak për shkak tim dhe as në interesin tim. Kjo është gjithmonë në interes të prokurorëve të çështjes dhe ky nuk është, është i vetmi rast”, deklaroi Meta.

Ai shtoi se, sipas tij, interesi për pezullimin e afateve të paraburgimit kishte nisur që më 29 gusht, kur çështja ishte dorëzuar për gjykim.

“Ka nisur nga 29 gushti, kur dorëzuan çështjen për gjykim, interesi është të më pezullojnë afatet e paraburgimit. Unë gjithmonë kam qenë në gjyq dhe kam kërkuar që gjyqi të zhvillohet”, tha Meta.

Prokurori Sotir Kllapi argumentoi se praktika gjyqësore është e konsoliduar dhe se mjafton mungesa e njërit prej avokatëve që afatet të pezullohen për të gjithë.

“Praktika është e konsoliduar, mjafton që të mungojë njëri nga avokatët dhe pezullohen për të gjithë”, deklaroi Kllapi.

Ai kundërshtoi edhe kërkesën e mbrojtjes për kthimin e çështjes së pezullimit të afateve të paraburgimit për shqyrtim nga një tjetër trupë gjyqësore.

“Kërkesa që bën avokati për kthim të çështjes së afatit të pezullimit të paraburgimit me një tjetër trupë është e pamundur. Ne mendojmë që kjo gjykatë nuk mund ta prishë atë vendim të asaj date”, tha prokurori.

Në fund, avokati kërkoi pranimin e ankimit, ndërsa gjykata njoftoi se vendimi do të shpallet më 17 shtator, në orën 14:00.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat