Vëllezërit Alban dhe Olsi Eftimi janë thirrur në ambientet e SPAK-ut, ku po japin shpjegime në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Dy vëllezërit, drejtues të studios së arkitekturës “Atelier 4”, po merren në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit për çështjen e vilës në Palasë, e cila është sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme.
Emri i “Atelier 4” është përfshirë në dosjen hetimore për vilën nr. 188/1 në kompleksin “Green Coast”. Sipas dyshimeve të SPAK-ut, prona mund të jetë zotëruar faktikisht nga Balluku dhe të jetë përfituar si ryshfet.
Në materialet e administruara nga hetuesit rezulton se Alban Eftimi i kishte dërguar Ballukut, në shtator të vitit 2020, një rishikim të projektit të vilës, ku përshkruhej në detaje arredimi i saj. Në komunikime përmenden, ndër të tjera, pishina “infinity”, vaskat e hidromasazhit, përdorimi i drurit “teak” dhe mermerit. Në një tjetër email rezultojnë planimetritë dhe projektet e dy vilave.
Sipas SPAK-ut, ndërtimi i vilës deri në fazën e karabinasë ishte financuar nga ish-futbollisti Igli Tare, ndërsa punimet e mëtejshme dhe ndërtimi i pishinës dyshohet se janë financuar nga biznesmeni Arbër Abazi, administrator i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Në dokumentet e sekuestruara në kompjuterët e studios “Atelier 4” janë evidentuar, sipas materialeve të dosjes, pagesa të kompanisë së Abazit që variojnë nga 288 mijë deri në 410 mijë euro.
“Alko Impex General Construction” ka përfituar kontrata publike në sektorin e infrastrukturës. Hetuesit po verifikojnë nëse financimi i punimeve në vilë ka pasur lidhje me favorizime të dyshuara në tendera.
SPAK po heton rrethanat e këtyre marrëdhënieve dhe dyshimet e ngritura në dosje nuk përbëjnë përfundime të formës së prerë.
Hetuesit e SPAK-ut kanë kryer më herët kontrolle edhe në ambientet e “Atelier 4”, ku janë sekuestruar dokumente dhe materiale që po ballafaqohen me provat e tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Alban Eftimi ishte paraqitur edhe më 3 shtator në Prokurorinë e Posaçme, ku kishte dhënë deklarime lidhur me këtë çështje.



