Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë Kuvendit qëndrimin e saj lidhur me projektligjin për pagat e magjistratëve, duke vlerësuar se drafti, në formën e publikuar, nuk garanton zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në shkresën zyrtare drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Përgjithshme thekson se nuk ka pasur në dispozicion një draft formal të përcjellë për konsultim, ndërsa qëndrimin e saj e ka bazuar në përmbajtjen e projektligjit të publikuar në korrik 2026 dhe në diskutimet publike.
Sipas Prokurorisë, projektligji për ndryshimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk garanton në parim zbatimin e plotë dhe efektiv të vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese dhe standardeve kushtetuese të përcaktuara në të.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mënyrën e përcaktimit të pagave sipas niveleve të ndryshme të sistemit të drejtësisë.
“Ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe jo harmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”, thuhet në qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Qëndrimi i institucionit i është përcjellë Kuvendit në kuadër të shqyrtimit të projektligjit për ndryshimin e skemës së pagave të magjistratëve.



