back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetBerisha minimizon takimin e figurave të PD/ “Thjesht kafe, jo lajm”

Berisha minimizon takimin e figurave të PD/ “Thjesht kafe, jo lajm”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar takimin e zhvilluar një ditë më parë nga disa eksponentë të kësaj force politike, një takim që ngjalli diskutime në media mbi situatën e brendshme në PD.

Berisha u shpreh se ngjarje të tilla nuk përbëjnë asgjë të jashtëzakonshme dhe se PD mbetet forca politike më e hapur ndaj mendimeve të ndryshme.

“Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them,” deklaroi Berisha para mediave.

Ai theksoi se procesi i analizës së brendshme në parti ka nisur tashmë dhe se të gjitha udhëzimet janë shpërndarë, duke shtuar se takimet e përfolura nuk përbëjnë “asnjë risi”.

“Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka patur dhe do ketë,” u shpreh ai.

Lidhur me debatet e brendshme dhe emrat e përfolur, Berisha mohoi çdo shqetësim, duke theksuar se figurat që kanë marrë më shumë vota janë sot në Parlament dhe se ata që mbështesin listat e hapura janë njerëz me kontribute në parti.

“Unë i shqetësuar? Jo. Njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament… janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme. Është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti,” u shpreh ai.

Berisha përmendi edhe disa prej figurave të PD që u komentuan në këtë takim.

“Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre,” theksoi ai, duke shtuar se çdo demokrat është i mirëpritur të paraqitet në zyrë dhe të shprehë pikëpamjet e tij.

Sipas Berishës, brenda PD nuk ka asnjë zhvillim të jashtëzakonshëm, por vetëm diskutime të natyrshme në një parti ku liria e mendimit mbetet parim themelor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat