Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish projektin e investimit të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, në ishullin e Sazanit. I ftuar në podcastin “East Side Stories”, Rama theksoi se lidhja me Kushner nuk ka karakter politik dhe se bashkëpunimi do të vijojë pavarësisht zhvillimeve në SHBA.
Rama u shpreh se ideja për projektin lindi natyrshëm, pasi Kushner dhe bashkëpunëtorët e tij u ndjenë të lidhur me Shqipërinë që nga vizita e parë.
“Nuk është se e di saktësisht si ndodhi, por ndodhi. Ata erdhën, vizituan, e duan këtë vend, u kthyen dhe pastaj filluan të mendojnë se si të bëjnë diçka,” tha Rama, duke shtuar se projekti është më shumë se një investim afatshkurtër.
Kreu i qeverisë theksoi se bashkëpunimi me Kushner nuk lidhet me politikën amerikane:
“Mendoj se ky është një investim dhe kjo është një miqësi që zgjat shumë kohë, prandaj do të mbijetojë edhe pas Trump-it. Kështu që nuk është aspak një miqësi politike.”
Projekti në ishullin e Sazanit është një nga investimet më të diskutuar të viteve të fundit, i cili synon të shndërrojë zonën në një destinacion të rëndësishëm turistik ndërkombëtar.



