KreuAktualitetKronikëSa para u vodhën në Postën e Durrësit?/ Zbardhet shifra marramendëse që...

Sa para u vodhën në Postën e Durrësit?/ Zbardhet shifra marramendëse që u mbajt e fshehur

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Gjykata e Durrësit ka vendosur që Feta Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, të vijojë të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Pas përfundimit të seancës së sotme, avokati i tij, Ilia Ilia, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj klientit të tij, duke kundërshtuar edhe denoncimet e bëra nga punonjëse të filialit të Postës në Durrës.

Sipas akuzave të ngritura ndaj Matajt, ai dyshohet se u vendoste gjoba punonjësve të Postës. Avokati ka deklaruar se këto pretendime nuk mbështeten, sipas tij, në prova të mjaftueshme.

“Deklarimet e administruara, të marra pas 6 muajsh, që pretendohet fakti, nuk provohen as dhuna fizike, ose psikike. Nuk prodhohet as përvetësimi i pasurisë, që është kushti bazë për të pasur vjedhje”, deklaroi Ilia.

Avokati tha se në dosje janë përfshirë deklarime të disa punonjësve, por sipas tij vetëm njëra prej dëshmitareve ka pretenduar konkretisht se i është kërkuar një shumë parash nga Feta Mataj.

“Bëhet fjalë që janë shtrënguar 5-6 individë, të cilët thonë ‘unë kam dëgjuar’. Vetëm një dëshmitare, Trëndelina Oxhaku, ka pretenduar se i është kërkuar nga Feta Mataj t’i dorëzojë 330 mijë lekë të vjetra”, tha avokati.

Avokati ngre pretendime për një gropë financiare prej 2.5 miliardë lekësh

Në deklaratën për mediat, Ilia ngriti edhe një tjetër pretendim, duke kundërshtuar shifrën e dëmit financiar që është bërë publike deri tani në lidhje me Postën e Durrësit.

Sipas avokatit, shuma e munguar nuk është rreth 690 milionë lekë, por shumë më e lartë, duke e vlerësuar atë në rreth 2.5 miliardë lekë.

“Kemi të bëjmë me një vjedhje monstruoze. Prej vitesh, ky grup e ka mbajtur peng Postën e Durrësit duke u sjellë si pronar me financat e saj. Deri tani, gropa financiare e vjedhjes së pasurisë publike ka shkuar rreth 2.5 mld lekë nga 690 milionë të pretenduara”, deklaroi ai.

Ilia hodhi gjithashtu akuza ndaj personave që, sipas tij, kanë administruar financat e Postës së Durrësit. Ai pretendoi se këta persona kanë pasur interes që problematikat financiare të institucionit të mos bëheshin publike.

“Ky enturazh politik, që ka drejtuar financën e Postës është i interesuar që mos të dalë e vërteta. Në momentin që ky enturazh, që ka manipuluar financën e Postës së Durrësit u vu në dijeni të faktit që Elisabeta Mataj u zgjodh drejtoreshë jashtë interesit të grupit, filloi luftën kundër saj me një denoncim anonim”, u shpreh avokati.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat