KreuAktualitetPolitika“Mos e votoni reformën”/ Protesta jashtë Kuvendit përshkallëzohet në përplasje me policinë

“Mos e votoni reformën”/ Protesta jashtë Kuvendit përshkallëzohet në përplasje me policinë

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Protesta e zhvilluar sot para Kuvendit kundër reformës administrativo-territoriale është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.

Qytetarë dhe përfaqësues të bashkive që preken nga ndryshimet u mblodhën para Parlamentit, ndërsa kërkuan që deputetët të mos votojnë reformën. Protestuesit kundërshtojnë veçanërisht bashkimin e 15 bashkive, duke pretenduar se ndryshimet do të dobësojnë zonat e tyre dhe do të nxisin më tej shpopullimin.

Situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish tentoi të kalonte kordonin e policisë të vendosur para Kuvendit. Në disa momente kordoni u ça dhe protestuesit iu afruan më shumë godinës së Parlamentit.

Forcat e policisë ndërhynë për të rikthyer turmën pas perimetrit të sigurisë. Gjatë përplasjes u përdor edhe spray irritues, ndërsa nga ana e protestuesve u hodhën shishe uji, vezë dhe sende të tjera në drejtim të efektivëve.

Një nga momentet më të tensionuara ishte përplasja e kryetarit të Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, me efektivët e policisë. Malaj ndodhej mes protestuesve dhe u përfshi në debat me uniformat blu, ndërsa në një moment pati edhe përplasje fizike.

Në protestë ishte edhe kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hil Curri, ndërsa të dy kryebashkiakët u kanë bërë thirrje deputetëve të mos votojnë reformën territoriale.

Edhe opozita është përfshirë në protestë, ndërsa brenda Kuvendit vijonte seanca plenare ku pritet të votohet ndryshimi i hartës administrativo-territoriale.

Protesta u zhvillua në një kohë kur reforma ka shkaktuar debate të forta politike, ndërsa kundërshtarët e saj kërkojnë që ndryshimet të mos miratohen në formën e propozuar nga mazhoranca.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat