Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të GJKKO, i cili në vitin 2020 vendosi pushimin e hetimeve ndaj tre gjyqtarëve Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të akuzuar për shkelje të rëndë procedurale në çështjen e Dritan Dajtit.
Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosi t’i rikthejë hetimet në Apel, por me një trupë tjetër gjykuese, duke konstatuar se vendimi i mëparshëm ishte marrë në kundërshtim me ligjin.
Çështja lidhet me vendimin e shkurtit 2019, kur një trupë e Gjykatës së Apelit vendosi të pranonte gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, i dënuar për vrasjen e katër policëve në vitin 2008. Si pasojë, dënimi i tij me burgim të përjetshëm u ul në 25 vite burg. Vendimi u mor me shumicë votash nga gjyqtarët Damini, Nikolli dhe Aliaj, ndërsa në pakicë mbetën Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.
Ky vendim shkaktoi reagime të forta publike dhe institucionale, duke çuar në nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarëve. Në nëntor 2020, Apeli i GJKKO vendosi pushimin e tyre, por tashmë Gjykata e Lartë e ka rrëzuar këtë vendim.
Ndërkohë, në qershor 2024, po Gjykata e Lartë pranoi rekursin e Prokurorisë për çështjen Dajti, duke rikthyer dënimin me burgim të përjetshëm për të.
Rikthimi i dosjes për hetim pritet të hapë një kapitull të ri mbi përgjegjësinë e gjyqtarëve që morën vendimin e shumëdebatuar për uljen e dënimit të një të dënuari për vrasje të katër efektivëve të policisë.



