back to top
2.5 C
Tirana
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaSadushi: Magjistratët në prag kolapsi nga 1000 çështje në vit

Sadushi: Magjistratët në prag kolapsi nga 1000 çështje në vit

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, ngriti shqetësimin e thellë për gjendjen e sistemit gjyqësor në vend, duke e vendosur në qendër të debatit çështjen e mirëqenies së magjistratëve. Ai e cilësoi këtë element “themeli i funksionimit të drejtësisë”, duke u shprehur se pa mbështetjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, drejtësia nuk mund të jetë e pavarur dhe funksionale.

“Mirëqenia e magjistratit është mirëqenia e drejtësisë, dhe mirëqenia e drejtësisë është mirëqenia e shtetit”, deklaroi Sadushi që në fillim të fjalës së tij. Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi se sistemi gjyqësor po funksionon në kushte shumë të vështira dhe se prej vitesh institucionet përgjegjëse nuk janë fokusuar tek nevojat bazë të magjistratëve, gjë që sipas tij rrezikon seriozisht cilësinë dhe pavarësinë e vendimmarrjes.

Sadushi u shpreh se gjyqtarët në disa gjykata janë të mbingarkuar deri në kufijtë e pamundurës, duke trajtuar 900 deri në 1000 çështje në vit, shifër të cilën e konsideroi “përtej kapaciteteve njerëzore”. Ai theksoi se edhe në Gjykatën e Lartë, ndonëse është ulur 63% e stokut historik, ky rezultat është arritur vetëm falë përpjekjeve të jashtëzakonshme personale të gjyqtarëve dhe jo si rezultat i një strukture të qëndrueshme institucionale.

Në fjalën e tij, Sadushi ngriti alarmin edhe për kushtet e munguara të sigurisë dhe infrastrukturës në gjykata, duke thënë se shumë godina nuk plotësojnë standardet minimale. Sipas tij, kjo situatë prek drejtpërdrejt dinjitetin profesional të magjistratëve. Ai kritikoi edhe proceset e vlerësimit profesional, të cilat shpesh vonohen, duke krijuar pasiguri dhe duke ndikuar negativisht në karrierën e gjyqtarëve.

Sadushi u shpreh se as teknologjia dhe as inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojnë boshllëqet strukturore në sistem. “Pas çdo vendimi që ndryshon jetë, qëndron një magjistrat. Nëse ai lihet i lodhur, i pambrojtur dhe i mbingarkuar, sistemi nuk mund të jetë i qëndrueshëm”, tha ai.

Një moment i rëndësishëm i fjalës së tij ishte referimi ndaj “Deklaratës së Gjyqtarëve të Republikës”, të cilën e quajti sinjal të qartë të krizës së brendshme. Ai tha se gjyqtarët nuk kërkojnë privilegje, por “siguri, mbështetje dhe dinjitet profesional”.

Në fund, Sadushi kërkoi miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mirëqenies së Magjistratëve 2025–2030, rritje të investimeve për infrastrukturën, shtim të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe vendosjen e standardeve kombëtare të sigurisë në çdo gjykatë. Ai e mbylli fjalën duke nënvizuar se “mirëqenia e magjistratit nuk është luks profesional, por premisa e vetë ekzistencës së drejtësisë funksionale”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat