Në ditën kur Kuvendi pritet të shqyrtojë paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka dalë me një deklaratë zyrtare kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”. Organizata, që përfaqëson interesat e komunitetit të investitorëve amerikanë dhe shqiptarë, evidenton një sërë problematikash që mund të kenë ndikim të gjerë juridik, ekonomik dhe fiskal.
Sipas Dhomës, drafti i paketës fiskale paraqet rrezik të lartë për cënimin e konkurrencës së ndershme, mundësi reale për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë dhe pastrim parash, si dhe ulje të cilësisë së administrimit tatimor. Ndikimet negative priten të jenë serioze për buxhetin e shtetit dhe mund të nxisin zhvendosjen e bizneseve drejt normave më të ulëta fiskale.
Dhoma Amerikane thekson gjithashtu se projektligji ka probleme ligjore, cenon parimet themelore të taksimit dhe është përgatitur me mungesë transparence dhe konsultimi publik të pamjaftueshëm.
Organizata kërkon që autoritetet shqiptare të rishikojnë paketën fiskale dhe të adresojnë këto problematika për të garantuar një ambient të qëndrueshëm ligjor dhe ekonomik për investitorët dhe bizneset.



