Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Erion Veliaj kërkon që publiku të besojë versionin e tij për një takim në burg me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, ku sipas tij janë përcjellë kërcënime dhe kërkesa të ardhura nga kryeministri Edi Rama. Por përtej dramës politike që përpiqet të ndërtojë letra e tij, mbetet një pikë thelbësore, pasi pretendimet e një personi të pandehur nuk mund të trajtohen si fakte vetëm sepse janë shkruar me dorë dhe publikuar në rrjetet sociale.
Veliaj ndodhet në paraburgim dhe përballet me një proces penal. Kjo nuk e privon nga e drejta për t’u ankuar apo për të denoncuar presione, nëse ato kanë ndodhur. Por, as pozita e tij si i pandehur nuk e bën automatikisht të besueshëm çdo pretendim që hedh në publik.
Në letrën e bërë publike, Veliaj pretendon se ministri Toni Gogu i ka thënë se transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në Fier është bërë me urdhër personal të Edi Ramës. Sipas versionit të tij, gjatë takimit i është përcjellë edhe kërcënimi se mund t’i shtohen akuza të reja, përfshirë atë për cenimin e rendit kushtetues, nëse nuk pranon përfshirjen në protestat e studentëve dhe “Flamingove”.
Veliaj pretendon gjithashtu se i është kërkuar të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të ndërpresë konsultimet me avokatin Plarent Ndreca.
Por deri tani, publiku ka parë kryesisht versionin e Veliajt. Letra mund të jetë shkruar prej tij, siç ka konfirmuar avokati, por kjo nuk është provë se takimi ka ndodhur pikërisht ashtu siç përshkruhet apo se mesazhet janë përcjellë në mënyrën që ai pretendon.
Takimi është fakt, përmbajtja mbetet e kontestuar
Toni Gogu ka pranuar se e ka takuar Veliajn në burgun e Fierit, por ka deklaruar se vizita kishte për qëllim njohjen me kushtet e trajtimit dhe dëgjimin e ankesave të tij. Ministri ka mohuar kategorikisht se ka shqiptuar mesazhet që Veliaj i atribuon, duke thënë se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Pra, ekziston një fakt i pranuar nga të dyja palët. Takimi është zhvilluar. Por për atë që është thënë brenda tij, kemi dy versione të kundërta dhe për shkak të pozitës së tij, më i pabesueshëm në këtë rast është Veliaj.
Nëse pretendon kërcënime, rruga është hetimi, jo vetëm letra publike
Veliaj i është drejtuar gjykatës me kërkesën që të verifikohen rrethanat e transferimit dhe pretendimet e tij. Por gjykata ka sqaruar se çështja e transferimit nuk është në kompetencën e saj në kuadër të procesit që po zhvillon dhe se verifikimi u takon organeve kompetente.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme që Veliaj të paraqesë në mënyrë të plotë pretendimet dhe çdo provë që mund të ketë pranë institucioneve që kanë detyrimin t’i hetojnë. Nëse ka pasur kërcënime për shtim akuzash, presion për dorëzimin e Bashkisë apo ndërhyrje të kryeministrit në trajtimin e tij në paraburgim, këto nuk janë çështje që mund të zgjidhen me deklarata në rrjete sociale.
Një i pandehur ka të drejtë të mbrohet, por publiku nuk ka detyrim t’i besojë pa prova
Veliaj po e paraqet veten si viktimë të një skenari politik, duke lidhur transferimin në Fier me pretendime për presion nga Rama dhe Gogu. Në të njëjtën kohë, ai është një person që përballet me akuza penale dhe ka interes të drejtpërdrejtë në mënyrën se si perceptohet çështja e tij.
Nëse Veliaj kërkon të bindë publikun se është kërcënuar dhe se ndaj tij po ushtrohet presion politik, duhet të tregojë çfarë provash ka dhe të kërkojë hetim të plotë. Nëse pretendimet janë të vërteta, verifikimi institucional është mënyra për t’i provuar. Nëse nuk provohen, letra rrezikon të mbetet një tjetër episod i luftës politike, ku akuzat e rënda përdoren për të krijuar mjegull rreth një procesi penal.



