Me 85 vota pro dhe 3 kundër, Endrit Shabani u votua sot në Kuvend si Avokat i Popullit, me mbështetjen e plotë të shumicës socialiste. Për këtë votim ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa grupi parlamentar i Partisë Demokratike braktisi sallën menjëherë para procedurës.
Pas zgjedhjes, Shabani reagoi në rrjetet sociale, duke e përshkruar procesin si një votëbesim “të rëndësishëm, personalisht prekës dhe surprizues” për nga dinamika politike në Kuvend.
Ai u shpreh i habitur nga qëndrimi i deputetëve të opozitës, të cilët fillimisht e mbështetën me firmat e nevojshme për kandidaturën, por më pas braktisën procesin.
“Mbetem i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi dhe më dhanë firmat sipas ligjit, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja,” shkroi Shabani.
Ndërkohë, ai falënderoi deputetët e mazhorancës që në fillim nuk pranuan t’i jepnin firmat, por në fund e votuan unanimisht me votë të fshehtë.
Sipas tij, vota e shumicës ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e gjatë të institucionit të Avokatit të Popullit dhe për të përmbushur një detyrim të procesit të negociatave.
Shabani shprehu mirënjohje të veçantë për 35 deputetët e opozitës që dhanë firmat për kandidimin e tij:
“I siguroj se nuk do t’u jap arsye të mendojnë se bënë gabim që më mbështetën në fillim, as se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund.”
Ai nënvizoi gjithashtu se do të punojë për të fituar respektin e të gjithëve, pavarësisht deklaratave të mëparshme si aktivist i opozitës.
“Do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve,” përfundoi Shabani.



