Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë një konferencë për shtyp, ku bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestave të opozitës.
Berisha akuzoi policinë për terrorizim të të rinjve gjatë protestës së djeshme para Kryeministrisë, duke theksuar se shumë prej tyre nuk kanë kryer asnjë akt dhune.
“I ftoj të jenë të gatshëm për përshkallëzim deri në përmbushjen e misionit për të përmbysur narko-qeverinë. Denoncioj terrorin policor ndaj disa të rinjve që nuk kanë kryer asnjë akt dhune”, tha ai.
Ai shtoi se policia duhet të veprojë sipas ligjit dhe jo për të mbrojtur hajdutët, duke kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar:
“Policia mos prekë me dorë protestuesit sepse ata po luftojnë ndaj hajdutëve dhe kriminelëve në detyrë. Të qëndrojnë me ligjin, jo me hajdutin, dhe të lirojnë të arrestuarit.”
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensioni politik, ndërsa opozita vazhdon organizimin e protestave për të kërkuar përgjegjësi nga qeveria aktuale.



