Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Protesta kombëtare e 28 Nëntorit në Tiranë u shoqërua me përplasje të dhunshme, hedhje molotovësh, sulme ndaj institucioneve dhe të plagosur mes protestuesve, efektivëve të policisë dhe gazetarëve.
Por përtej bilancit të incidenteve, mbetet një çështje që kërkon përgjigje. Kush mban përgjegjësi për përshkallëzimin e protestës dhe çfarë roli kanë pasur drejtuesit politikë të opozitës në klimën që parapriu këtë tubim?
Protesta u thirr dhe u promovua nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili prej ditësh kishte kërkuar mobilizimin e mbështetësve të opozitës. Më 25 nëntor, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ai kërkoi angazhim të gjerë për protestën e 28 Nëntorit, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm të përballjes me qeverinë.
“28 Nëntori është ditë feste, por është ditë kushtrimi”, deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje shqiptarëve të bashkoheshin në atë që e cilësoi si protestën më të fuqishme qytetare dhe rinore. Në të njëjtën fjalë ai deklaroi se “nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën”, duke e paraqitur protestën si një detyrim të opozitës përballë qeverisë.
Një tjetër deklaratë e Berishës, e bërë më 29 tetor në Kuvend, rikthen në vëmendje gjuhën e përdorur nga kreu i opozitës gjatë kësaj periudhe. Duke iu referuar deputetëve të mazhorancës, ai u shpreh se ata “meritojnë gaz lotsjellës, plumba gome, kafka të çara dhe kocka të thyera”.
Ndërkohë, edhe më 28 Nëntor, përmes një mesazhi publik, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkoheshin në shesh, duke e cilësuar protestën si një përpjekje për largimin e qeverisë.
Nga protesta politike te sulmet ndaj institucioneve
Ajo që ndodhi në Tiranë tregon se tubimi nuk mbeti vetëm në kufijtë e një proteste politike. Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku nisën përplasjet me policinë. Një grup personash hodhën gurë dhe bomba molotov në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Protesta nisi në mënyrë paqësore, por më pas grupe protestuesish, disa prej tyre të maskuar, u shkëputën nga turma, dëmtuan godina ministrish dhe hodhën gurë e bomba molotov. Përplasjet u përhapën në disa rrugë të kryeqytetit.
Sulmet ndaj institucioneve publike, thyerja e derës së Ministrisë së Bujqësisë dhe sulmi ndaj selisë së Partisë Socialiste e zhvendosën protestën nga një manifestim kundër qeverisë në një situatë ku u rrezikua siguria e qytetarëve.
Sipas bilancit paraprak të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë deri në orën 15:00, 19 persona kishin mbetur të lënduar, mes tyre 6 efektivë policie, 4 gazetarë dhe 9 protestues.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te personat që hedhin mjete piroteknike. Edhe organizatorët dhe drejtuesit politikë kanë përgjegjësinë të distancohen qartë nga dhuna, të mos nxisin përshkallëzimin dhe të bëjnë gjithçka për të garantuar karakterin paqësor të tubimeve që thërrasin.
Në rastin e protestës së sotme, pra 28 Nëntorit, Berisha ishte figura kryesore politike që kërkoi mobilizimin e qytetarëve dhe thirri protestën. Për këtë arsye, qëndrimi i tij ndaj akteve të dhunës dhe distancimi i qartë prej tyre janë pjesë e përgjegjësisë politike që duhet të japë si drejtues i opozitës.
SPAK dhe Prokuroria duhet të zbardhin organizimin e dhunës
Një tjetër çështje që kërkon hetim është nëse aktet e dhunës ishin veprime individuale apo nëse pas tyre qëndron një organizim i strukturuar.
Hetimi duhet të përcaktojë gjithashtu nëse ka pasur persona që kanë nxitur, organizuar apo koordinuar sulmet ndaj institucioneve dhe forcave të policisë.
E drejta për protestë është një e drejtë themelore, por kjo e drejtë nuk përfshin sulmet ndaj policisë, djegien e institucioneve apo rrezikimin e qytetarëve.
Rikthehen përplasjet para Kryeministrisë/ Protestuesit sulmojnë me molotovë e gurë



