Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dërguar një mesazh të brendshëm anëtarëve të Kryesisë, deputetëve dhe drejtuesve të partisë, duke vendosur rregulla strikte për pjesëmarrjen e tyre në emisione televizive dhe debate publike.
Në mesazhin e shpërndarë, Berisha rikujton se përfaqësuesit e PD-së do të dalin vetëm përballë përfaqësuesve politikë të qeverisë dhe Partisë Socialiste, duke përjashtuar analistët e pavarur që, sipas tij, veprojnë si zëvendësues të qeverisë dhe nuk mbajnë përgjegjësi për manipulime apo mashtrime.
“Përfaqësues të PD-së, qofshin anëtarë të Kryesisë, departamenteve, sekretariateve, Grupit Parlamentar apo pushtetit lokal, nuk dalin në debate me analistë të cilët shërbejnë si proxy të qeverisë”, thuhet në mesazh.
Berisha argumenton se qëllimi i qeverisë dhe disa moderatorëve është të përdorin këta analistë për të kontrolluar debatin dhe për të mbuluar aferat e qeverisë, duke krijuar një “maskë” që fsheh korrupsionin dhe keqbërjet.
Ai thekson gjithashtu se çdo intervistë apo prononcim që lidhet me aferat e qeverisë, korrupsionin apo skandalet duhet të përdoret maksimalisht nga opozita.
Sipas mesazhit, për të gjitha ftesat nga studiot televizive, deputetët duhet të njoftojnë Drejtorinë e Shtypit të PD-së për dy arsye:
Për të marrë mesazhin e ditës nga zyra e shtypit.
Për të mos lejuar “peshkimin” nga mediat e kontrolluara nga qeveria, të cilat përpiqen të manipulojnë informacionin duke ftuar të tjerë kur refuzohet i pari.
Berisha njofton gjithashtu se ky vendim do t’u përcillet edhe partive aleate, në mënyrë që qëndrimi opozitar të jetë i përbashkët dhe i koordinuar.
Mesazhi përfundon me një përshëndetje të ngrohtë dhe me nënshkrimin e tij personal:
“Përshëndetje të përzemërta, me respekt, Sali Berisha.”
Ky lëvizje e kryetarit të PD-së vjen në një kohë kur marrëdhënia mes opozitës dhe mediave ka qenë e tensionuar, ndërsa partitë politike po përpiqen të kontrollojnë narrativën përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe përballë akuzave për korrupsion në qeveri.



