Është kthyer në praktikë të zakonshme që sa herë një ditë feste bie pranë fundit apo fillimit të javës, qeveria të shpallë pushim edhe ditën ngjitur, duke krijuar fundjava të zgjatura për administratën publike. Megjithatë, këto vendime vlejnë vetëm për sektorin publik, ndërsa bizneset private shpesh nuk e kanë luksin të pushojnë, pasi të ardhurat dhe pagat e punonjësve nuk janë të garantuara nga buxheti i shtetit.
Kështu ndodhi edhe këtë fundjavë, kur 25 dhjetori, festa e Krishtlindjeve, ra të enjten dhe e premtja u shpall pushim zyrtar për administratën, duke krijuar katër ditë radhazi pushim. Në teori, kjo nuk duhej të pengonte aktivitetin e bizneseve, pasi shumica e shërbimeve ofrohen online. Në praktikë, situata ka rezultuar krejt e kundërt.
Bizneset raportojnë se prej disa ditësh janë përballur me bllokim të sistemeve online shtetërore, të cilat ose nuk funksionojnë fare, ose punojnë me vështirësi të mëdha. Me administratën fizike të mbyllur dhe platformat digjitale jashtë funksioni, sipërmarrjet po penalizohen rëndë, pa pasur një adresë konkrete ku të ankohen.
Sipas raportimeve për “Monitor”, gjatë ditës së premte dhe edhe të shtunën, nuk kanë funksionuar sistemet bazë operative për bizneset. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk mund të kryhen aplikime për regjistrimin e shoqërive të reja apo për ndryshime të të dhënave, si shitje kuotash apo ndryshim kapitali. Po ashtu, sistemi “Self Care”, përmes të cilit lëshohen faturat, ka qenë i paarritshëm për shumicën e përdoruesve.
Probleme janë raportuar edhe për aplikimet për barrë lindjeje, për shtimin e punonjësve të rinj apo për shërbime të tjera bazë, pasi faqet përkatëse ose nuk hapen, ose kërkojnë kohë shumë të gjatë pritjeje. Edhe individët që tentojnë të shkarkojnë certifikata nuk arrijnë të hyjnë në llogaritë e tyre, pasi kodi i aksesit nuk u dërgohet.
Ndërkohë, sistemi i tatimeve (E-tax) raportohet se funksionon normalisht, por shumë shërbime të tjera që lidhen përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpesh rezultojnë jofunksionale.
“Sistemi vazhdon të ketë probleme. Edhe pse klikohet ‘Self Care’, sapo futen të dhënat e e-Albania, shërbimi nuk hapet. E njëjta situatë ndodh edhe me hyrjen në Tatime përmes e-Albania. Kjo po krijon vështirësi serioze për ekonomistët dhe kontabilistët në kryerjen e detyrave,” shprehet Igli, kontabilist.
Bizneset theksojnë se kjo situatë e zgjatur përbën një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik, për marrëdhëniet me administratën publike dhe për shërbimin ndaj klientëve, shkriuan Monitori.
Në këtë realitet, Shqipëria duket se po shndërrohet në një rast unik, ku bizneset i “luten” qeverisë jo për lehtësira apo subvencione, por thjesht që t’i lejojë të punojnë.



