Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj gazetarit irlandez Chay Bowes, pas përfshirjes së këtij të fundit në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian, duke e cilësuar si pjesë të propagandës ruse.
Në një postim në rrjetin social X, Rama e ka quajtur Bowes një “klloun të propagandës ruse”, duke pretenduar se ai është paguar nga Rusia për të përhapur propagandë.
“Ja dhe një klloun i propagandës ruse që sot u sanksionua nga Bashkimi Europian pikërisht si klloun i paguar nga Rusia”, shkruan kryeministri.
Rama ka publikuar gjithashtu dy postime të gazetarit irlandez, në të cilat ai kishte shpërndarë pamje nga protestat në Tiranë. Përmes tyre, kryeministri ka ironizuar interesin e Bowes për zhvillimet në Shqipëri, duke e lidhur atë me procesin e integrimit europian të vendit.
“Po me Shqipërinë pse? Se Shqipëria e teproi me ngjitjen e saj lart dhe afrimin e shpejtë te objektivi historik: Anëtarësimi në Bashkimin Europian”, shkruan më tej Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen pas vendosjes së gazetarit në listën e sanksioneve të BE-së, ndërsa postimet e tij për protestat në Shqipëri janë bërë pjesë e përplasjes publike mes Ramës dhe Bowes.



