Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot në Shkodër takimin e radhës me bazën demokrate, në kuadër të turit të tij që ka hapur debate dhe përplasje brenda forcës më të madhe opozitare.
Gjatë fjalës së tij, Salianji reagoi ndaj mesazheve të shpërndara në emër të Partisë Demokratike, ku u bëhej thirrje demokratëve të mos merrnin pjesë në takimin e tij. Ai e cilësoi këtë veprim si një përpjekje për të penguar komunikimin mes demokratëve dhe për të mbajtur me forcë postet drejtuese.
“Mesazhi u dërgua në emër të PD nga një numër që paguhet nga PD, pra nga taksat tuaja dhe tonat. Nuk ju kanë uruar as për festa, as për ndonjë protestë kundër qeverisë, por ju bëjnë thirrje të mos takohemi me njëri-tjetrin. Kjo tregon se janë të kapur pas kolltuqeve dhe karrigeve”, tha Salianji.
Ai reagoi edhe ndaj akuzave se takimi në Shkodër ishte organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci, duke theksuar se ky i fundit ka qenë më herët i emëruar nga vetë Partia Demokratike.
“Benet Beci nuk ka qenë drejtor i emëruar prej meje, por prej PD-së. Gabimet e PD-së, emërimet e padrejta, nepotizmi dhe lidhjet familjare kanë sjellë partinë në këtë gjendje. Nga drejtor i PD sot është kryebashkiak i PS dhe pak guxojnë ta përmendin”, u shpreh ai.
Salianji theksoi se pakënaqësia e demokratëve po reflektohet në sallat e mbushura në takimet e tij, pavarësisht përpjekjeve për t’i minimizuar apo injoruar ato.
“Nuk më bën presion askush. Nuk më ka bërë presion as Edi Rama, as kur isha në burg. Ata që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra, e kanë gabim. Nuk të bëjnë as rroga, as privilegjet”, deklaroi Salianji.
Takimi në Shkodër vjen në një moment tensioni të lartë brenda Partisë Demokratike, teksa lëvizja e Salianjit po shihet nga një pjesë e strukturave si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj lidershipit aktual.



