Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin ku arsyeton pse la në fuqi masën e ndalimit për të dalë jashtë Shqipërisë ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, një vendimmarrje e dorëzuar gjatë ditës së sotme avokatëve dhe mbrojtësve të saj, si dhe dy zyrtarëve të tjerë që janë nën arrest shtëpiak.
Sipas burimeve nga gjykata, gjyqtarja Miliana Muca argumenton se ekziston rreziku që Balluku t’i shmanget drejtësisë, duke u bazuar tek marzhi i dënimit të parashikuar për veprën që i komunikoi SPAK funksionares. Verdikti lidhet konkretisht me akuzën për shkelje të barazisë në tendera, ndaj gjyqtarja konsideron të nevojshme që pasaporta e zv/kryeministres të mbahet e bllokuar.
Gjykata e Apelit të Posaçëm, duke lënë në fuqi vendimin e kolegut Erjon Cela, thekson se për kërkesën për pezullimin nga detyra të Ballukut nuk mund të shprehet, pasi çështja është ende nën shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Pezullimi i shqyrtimit gjyqësor mbi këtë pikë do të zgjasë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të mbahet në seancë plenare më 22 janar 2026. Sipas gjykatës, masa e pezullimit nga detyra ndaj Ballukut ka rënë, në respektim të një qëndrimi të mëparshëm të Kushtetueses që e riktheu në detyrë.
Nga zbardhja e vendimit, rezulton se mbrojtja e Ballukut, përkatësisht avokatët Gentian Gjylit dhe Erald Elezit, kanë nisur përpjekjet për të depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë, SPAK, në pritje të mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të diskutuar imunitetin e deputetes Balluku, ka vijuar me një sërë kontrollesh të aprovuara nga gjyqtari i hetimit paraprak ndaj 54 subjekteve, shumica prej tyre zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe biznesmenë. Veprimet e BKH-së nuk kanë qenë vetëm për mbledhjen e provave, por edhe për ruajtjen e tyre, pasi prokurori i çështjes, Dritan Prenci, ka informuar gjyqtarin për rrezikun e helmimit të provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.



