Dritan Demiraj, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record”, deklaroi se Partia Demokratike duhet të përballet me një riformatim të thellë të lidershipit, duke përfshirë largimin e drejtuesve të qarqeve që kanë shënuar humbje në zgjedhjet e fundit.
“Opozita vjen nga një situatë 8-vjeçare gabimesh të njëpasnjëshme, që e kanë dëmtuar rëndë dhe, në shtesë, investimet e Edi Ramës për ta përçarë opozitën përmes emërimeve, financimit dhe mbështetjes së një pjese të liderëve ose ish-drejtuesve të ndryshëm, kanë ndikuar për ta copëtuar atë,” tha Demiraj.
Ai theksoi se për të rritur performancën e Partisë Demokratike, duhet kryer një analizë e thellë për rezultatet negative të zgjedhjeve të fundit. “I sugjeroj doktor Berishës të riformatojë lidershipin e partisë, duke larguar 12 drejtuesit e qarqeve që kanë rezultuar humbës në këto zgjedhje. Gjithashtu, Partia Demokratike duhet të hapë portat për të pranuar një pjesë të madhe të personave me integritet, intelektualëve nga të gjitha fushat. Është e papranueshme që për 35 vjet të rikonfigurohen të njëjtat figura,” shtoi ai.
Demiraj u shpreh optimist për aftësinë e lidershipit të Partisë Demokratike për të pranuar gabimet dhe për të marrë vendimet e duhura për riorganizimin e partisë.



