Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, është kallëzuar sot në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në lidhje me situatën e përmbytjeve në qytet.
Kallëzimi penal është depozituar nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, dhe ka në shënjestër kryebashkiaken Sako, si edhe institucione të tjera shtetërore, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, në këtë çështje përfshihen gjithashtu Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës. Pretendohet se këto institucione dhe drejtuesit e tyre mund të kenë shpërdoruar fonde publike dhe kompetenca ligjore, duke ndikuar në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve në qytetin e Durrësit.
Në dokumentin e depozituar në SPAK theksohet se një hetim i plotë mund të zbulojë edhe vepra të tjera penale të kryera në bashkëpunim nga personat dhe institucionet e përfshira.
Kallëzimi penal referon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Penal, si dhe legjislacionin për vetëqeverisjen vendore dhe administrimin e ujitjes dhe kullimit.



