back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaTenderat/ SPAK dërgon në gjykatë një tjetër kryebashkiak socialist

Tenderat/ SPAK dërgon në gjykatë një tjetër kryebashkiak socialist

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe 6 persona të tjerë, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimi lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)” dhe fond limit 69,500,000 lekë. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimit.

SPAK raporton se gjatë këtij procesi janë evidentuar veprime që kanë favorizuar në mënyrë të padrejtë shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k. Konkretisht, Benet Beci, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe të komisionit të vlerësimit të ofertave, ka krijuar avantazhe dhe privilegje për shoqërinë fituese.

Hetimi ka dokumentuar ndërhyrje në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe fazën e vlerësimit të ofertave. Provat janë mbledhur edhe përmes teknikave të posaçme të hetimit dhe sekuestrimeve të dokumentacionit të lidhur me të pandehurit.

Veprimet e pretenduara nga SPAK janë në kundërshtim me ligjin nr. 9643, “Për prokurimin publik”, dhe VKM nr. 914, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

SPAK thekson se çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në vendim të formës së prerë nga gjykata.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat