back to top
14.5 C
Tirana
E hënë, 30 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaDosja që trazoi drejtësinë/ Çfarë gjeti Prokuroria për Irena Gjokën?

Dosja që trazoi drejtësinë/ Çfarë gjeti Prokuroria për Irena Gjokën?

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar procesin e verifikimit të thelluar për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka, lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.

Procesi i verifikimit u regjistrua më 8 maj 2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjithshme me nr.40, pas një kërkese të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ky proces nisi në vijim të pretendimeve se gjyqtarja Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara e saj në shtetin grek.

Pretendimet janë ngritur publikisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka deklaruar se Gjoka ishte dënuar nga autoritetet greke dhe nuk e kishte pasqyruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit. Sipas tij, bëhej fjalë për një incident të ndodhur më 24 dhjetor 2002 në pikën kufitare të Kakavijës, ku ajo dyshohet se ishte konstatuar me dokumente udhëtimi të falsifikuara.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve brenda dhe jashtë vendit, Prokuroria e Përgjithshme miratoi rezultatet e hetimit më 19 janar 2026 dhe ia përcolli ato Këshillit të Lartë Gjyqësor, organit përgjegjës për vlerësimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 dhe vendimit të Kuvendit nr.17/2016.

Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme sqarojnë se ky institucion nuk ka kompetencë vendimmarrëse përfundimtare. Sipas ligjit, vendimi mbi ekzistencën ose jo të kushteve të ndalimit i takon KLGJ-së. Bashkë me rezultatet e verifikimit, Prokuroria i ka përcjellë KLGJ-së edhe vendimin autentik të arkivimit të prokurorit grek, i cili lidhet me çështjen e përmendur, për shkak të mos-ekzekutimit të dënimit.

Ndërkohë, SPAK po vijon hetimet për këtë rast në kuadër të një procedimi penal pa emër.

Gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë pjesë e shqyrtimit të dosjeve me rëndësi të lartë që përfshijnë politikanë, zyrtarë të lartë dhe figura të krimit të organizuar, çka e bën këtë proces verifikimi me interes të lartë publik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat