back to top
15.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetAngazhimi për Bordin e Paqes do të shqyrtohet nga Kuvendi

Angazhimi për Bordin e Paqes do të shqyrtohet nga Kuvendi

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të martë, përmes një postimi në rrjetin social “X”, se i ka kthyer përgjigje presidentit amerikan Donald Trump lidhur me ftesën për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes”, një nismë e SHBA-ve për ndërtimin e paqes, me fokus konfliktin në Gaza.

Rama bën të ditur se angazhimi i Shqipërisë në këtë iniciativë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim, në përputhje me procedurat kushtetuese. Kryeministri falënderon presidentin Trump për ftesën, duke e cilësuar nismën si një model transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Në letrën drejtuar presidentit amerikan, Rama shpreh vlerësimin për udhëheqjen dhe vizionin e Trump në themelimin e Bordit të Paqes, duke theksuar se kjo nismë nuk është konceptuar si një forum deklarativ, por si një instrument konkret përgjegjësie dhe veprimi ndërkombëtar.

“Paqja duhet të formësohet aktivisht, jo të pritet pasivisht, ndërkohë që jetë të pafajshme humbasin çdo minutë,” shkruan Rama, duke nënvizuar se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia në nivelet më të larta janë elementë kyç për ndërtimin e paqes.

Kryeministri shpreh gatishmërinë e tij për të kontribuar personalisht në këtë përpjekje, duke e konsideruar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes si një nder dhe privilegj. Ai thekson gjithashtu se Shqipëria ka qenë historikisht një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta dhe një partneritet i qëndrueshëm strategjik.

“Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah SHBA-ve në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global,” thuhet në letrën e Ramës.

Nisma e Bordit të Paqes synon të trajtojë njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet strukturore që prodhojnë paqëndrueshmëri, duke u konsideruar nga qeveria shqiptare si një mekanizëm me potencial të lartë për ndikim global.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat