Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar këtë të hënë se qeveria do të propozojë ndryshime ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama bëri të ditur se do të kërkohen ndërhyrje në legjislacion, pa përmendur ende një nen konkret të Kodit të Procedurës Penale. Sipas burimeve, ndryshimet mund të përfshijnë nenin 242, që aktualisht rregullon pezullimin e ushtrimit të detyrave për personat e zgjedhur nga qytetarët.
Në këtë kontekst, pritet që masa e pezullimit të mund të shtrihet jo vetëm tek deputetët dhe kryebashkiakët, por edhe tek anëtarët e qeverisë, Presidenti dhe funksionarë të tjerë të nivelit të lartë, duke zgjeruar kështu fushën e aplikimit në raste të veçanta.
Nëse ndryshimi realizohet, as deputetët, as anëtarët e qeverisë nuk do të mund të pezullohen ose kontrollohen nga SPAK-u pa autorizim të Parlamentit.
Kryeministri Rama theksoi se qëllimi i ndërhyrjes është garantimi i funksionimit normal të institucioneve, pa paralizime të detyrave kushtetuese, dhe ruajtja e pavarësisë së hetimeve dhe të institucioneve të drejtësisë.
Neni 242 – Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.
Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.



