Një studim i fundit i Banka e Shqipërisë paralajmëron se një forcim i mundshëm i euros dhe zhvlerësimi i lekut mund të sjellin rritje të inflacionit në vend, duke shtrenjtuar veçanërisht produktet e importuara dhe kostot e kredive për qytetarët dhe bizneset.
Sipas Bankës Qendrore, kursi i këmbimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion, sidomos kur monedha vendase dobësohet.
“Rezultatet tregojnë se kursi i këmbimit ndikon pozitivisht në inflacionin total, por efektet nuk janë të rëndësishme për vlerësimin e monedhës. Rezultati kryesor tregon se zhvlerësimet kanë tendencë të kenë një efekt inflacionist më të theksuar, veçanërisht në kuantilet më të larta të inflacionit”, thekson studimi i BSH.
Rrezik për kreditë dhe këstet mujore
Banka e Shqipërisë vlerëson se një rikthim i euros në nivelet rreth 120 lekë do të kishte ndikime të konsiderueshme edhe në sektorin e kredive, duke i bërë këstet më të shtrenjta, sidomos për huatë në valutë.
“Ndikimi i kursit të këmbimit është më kompleks: ai është negativ në afatshkurtër dhe përmbyset pjesërisht në horizonte më të gjata kohore. Efektet e vonuara të rrezikut të kredisë dhe normës së interesit zbehen gradualisht me kalimin e kohës”, deklaron BSH.
Çmimet e banesave mbi nivelin normal
Në analizën e saj, Banka Qendrore evidenton edhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, duke theksuar se çmimet e apartamenteve në vend mbeten mbi nivelet e konsideruara normale.
“Është zbuluar se çmimet e shtëpive ishin në mesin e vitit 2025 të paktën 5% mbi nivelet e tyre ‘normale’. Gjithashtu, rezultatet paraprake tregojnë se çekuilibrat e çmimeve të shtëpive duket se pengojnë rritjen ekonomike në planin afatgjatë, por as nuk e përforcojnë dhe as nuk e dobësojnë atë në planin afatshkurtër”, thekson BSH.
Ekspertët vlerësojnë se stabiliteti i kursit të këmbimit mbetet thelbësor për kontrollin e inflacionit dhe ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, në një kohë kur ekonomia shqiptare vijon të jetë e ndjeshme ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare dhe ndaj luhatjeve të valutave.



